2016

U mbajt në Durrës Takimi i Përvitshëm i Mbarështuesve dhe Tifozëve të Kanarinës Waterslager Malinois

Më shumë se 40 tifozë dhe mbarështues të kanarinës së këngës Waterslager Malinois ndoqën për afro 5 orë rresht, këngën dhe interpretimin e mrekullueshëm të zogjve që ata rrisin dhe admirojnë. Mbarështuesit kishin përzgjedhur 48 zogj, më të mirët nga tufat e tyre për t'u përfaqësuar në këtë event. Ky takim shënoi dhe vitin e pestë rradhazi që zhvillohet, duke u kthyer tashmë, në një traditë.

Shoqata "Mbarështuesit e Kanarinave" konstaton me kënaqësi se, është rritur ndjeshëm numri i mbarështuesve të kësaj race si dhe shpërndarja e tyre nëpër vise të ndryshme të Shqipërisë.

Takimi i sivjetshëm synoi njëkohësisht dhe eksperimentimin për vlerësimin me pikë sipas standarteve ndërkombëtare. Z. Florian HETA, i përzgjedhur nga mbarështuesit, gjykoi dhe shpjegoi me durim interpretimin e zogjve pjesëmarrës. Në fund të aktivitetit mbarështuesit dhe zogjtë u pajisën me skedat përkatëse të pikëve dhe për individë të dalluar u shpërndanë Fletë Mirënjohje.

Rezultatet e këtij viti treguan përpjekjet dhe rritjen e vazhdueshme për të gjithë mbarështuesit.